Kursi i Euros me Lekun bie përsëri, po shkon drejt pragut të 95 lekëve
Monedha europiane ka zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë ndaj lekut, duke iu afruar pragut psikologjik të 95 lekëve, ndërsa hyrja në sezonin turistik pritet të shtojë më tej presionet mbi kursin e këmbimit.

Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye sot me 95.29 lekë, duke vendosur një minimum të ri historik. Që nga fillimi i vitit 2026, monedha europiane është zhvlerësuar me rreth 1.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia arrin afërsisht në 3%.
Agjentët e tregut valutor vlerësojnë se me rritjen e flukseve turistike gjatë muajve të verës, prurjet e valutës do të shtohen edhe më shumë, duke ushtruar presione të reja mbi euron. Sipas tyre, tendenca e dobësimit të monedhës europiane mund të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk po e ndalin rënien
Banka e Shqipërisë po vijon ndërhyrjet në tregun valutor me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të lekut. Edhe pse të dhënat për vitin 2026 ende nuk janë publikuar, statistikat e viteve të fundit tregojnë se banka qendrore ka blerë sasi të konsiderueshme eurosh nga tregu.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 1.027 miliardë euro për rritjen e rezervës valutore, me një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë. Në total, gjatë viteve 2024 dhe 2025, banka qendrore ka blerë rreth 2 miliardë euro, por këto ndërhyrje kanë arritur vetëm të ngadalësojnë dhe jo të ndalin rënien e monedhës europiane.
Turizmi dhe investimet po mbajnë të larta flukset valutore
Sipas ekspertëve, niveli i lartë i hyrjeve valutore në ekonomi mbetet faktori kryesor që po ushtron presion mbi kursin e këmbimit. Këto flukse lidhen kryesisht me turizmin, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme dhe remitancat, ndërsa në perceptimin publik vazhdojnë të përmenden edhe prurjet informale të valutës.
Edhe rritja e çmimeve të karburanteve dhe produkteve të importit nuk ka krijuar deri tani kërkesë të mjaftueshme për valutë që të ndikojë në kthimin e trendit të euros.
Eksportet nën presion, importet përfitojnë
Zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros gjatë dekadës së fundit, veçanërisht pas pandemisë, ka krijuar sfida për sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. Industria fason, prodhimi dhe shërbimet që bazohen te konkurrueshmëria e kostove po përballen me vështirësi në rritje për shkak të forcimit të lekut.
Një euro më e dobët redukton të ardhurat e eksportuesve kur ato konvertohen në monedhën vendase, duke ushtruar presion mbi fitimet dhe konkurrueshmërinë e tyre. Një rënie e mëtejshme e kursit mund të ndikojë edhe sektorin e turizmit, ku Shqipëria konkurron me vende të tjera të rajonit për çmimet e shërbimeve.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut ka sjellë efekte pozitive për importuesit dhe konsumatorët. Edhe pse nuk ka prodhuar ulje të ndjeshme çmimesh, ai ka ndihmuar në amortizimin e kostove të importeve dhe ka kufizuar rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të ardhura nga jashtë.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)